Dita Botërore e Lumturisë?

kuturuKulture Shqiptare, Viz-Kuturu0 Comments

Ma merr mendja që nuk e dini që sot është e para “Ditë Ndërkombëtare e Lumturisë” (DNL), e shpallur nga Kombet e Bashkuara vitin e kaluar si ditë e tillë. Kjo shpallje erdhi pas një takimi rreth mirëqënies, në të cilën morën pjesë zyrtarë të shteteve të ndryshme, ekonomistë, studiues, udhëheqës shpirtërorë.

Shembulli nxitës i kësaj dite është Butani, i cili nuk mat PBB (GDP) (Produkti i Brendshëm Bruto) por mat LKB (Lumturia Kombëtare Bruto) për të treguar zhvillimin e vendit. Mbreti i Butanit e ka pershkruar LKB (se mos e ngaterroni me LGBT-ne!), si “ura mes vlerave themelore të mirësisë, barazisë dhe njerzillëkut dhe kërkimit të nevojshëm për rritje ekonomike.” Në arsyetimin e tij, ka një lidhje që është dokumentuar thonë disa, mes mirëqënies dhe produktivitetit.

Me fjalë të tjera, një shoqëri me mirëqënie të lartë është në të njëjtën kohë edhe produktive dhe e kundërta.

Ndërkohë, ndërsa po ju hidhja një sy deklaratave të të disa të famshmëve rreth lumturisë më ra në sy një deklaratë e Mark Tuain, i cili tha që:

“Të qënit i shëndetshëm dhe i lumtur është një ndërthurje e pamundur”.

I jap të drejtë Tuain, sidomos në kontekstin shqiptar, kur, ditën që do të jesh i lumtur, të ndodh një përqasje e pakuptimtë në trafikun e ngatërruar të Tiranës që ia zhduk gjurmët lumturisë; ose dikush të mërzitet sepse ti je i suksesshëm; a dikush përpiqet të të dëmtojë sepse s’ka punë tjetër; e dikush tjetër përpiqet të të mashtrojë sepse mashtrimi është normal; e dikush tjetër helmon opinionin publik duke dhënë doza mashtrimi moral në programe të ndjekura televizive; e dikush tjetër që e ka për detyrë të mbrojë të vobektit e fëmijët, bën sikur s’sheh ose sheh kur është shumë vonë.

Kur je i shëndetshëm dhe e shikon realitetin siç është, vështirë të jesh në gjendje të jesh i lumtur.

Në kushtet e një shoqërie të dërrmuar nga e keqja, të ç’orientuar në thelbin e matjes së vlerave morale, e në kushtet ku pothuajse është e pamundur të marrësh frymë lirisht, më duket se zgjidhja e vetme për lumturi është të përkushtohesh t’ju shërbesh të tjerëve. Eshtë e vështirë të gjesh lumturi duke ju përkushtuar vetëm vetes – sepse vetja jonë është objekt shumë i vogël për të merituar një përkushtim kaq radikal. E di, e di – që disa do të mendojnë se kjo s’ka llogjikë, se në fund të fundit po flasim për lumturinë tonë e kësisoj vetja jonë duhet të jetë në qendër…

Por, thjesht po ju them: A nuk duket se të gjithë shqiptarët që janë të fokusuar te vetja, nuk janë aq të kënaqur dhe të lumtur sa mendojmë apriori? Shikoni politikanët p.sh. Nëse janë të lumtur, pse nuk janë gati të heqin dorë? Shikoni njerëzit që punojnë vetëm për vete – dhe shumica e tyre për vete punojnë – pse nuk na kanë sjellë një shoqëri të lulëzuar e të gëzuar?

Të gjithë kërkojnë të përfitojnë në kurriz të të tjerëve, duke menduar që ky është çelësi për “mrekullinë” e lumturisë. Dhe gjithandej ka dështim.

Po Mark Tuain citohet të ketë thënë se:

“Mënyra më e mirë për të lumturuar veten është të lumturosh dikë tjetër”

Dhe Martin Luter King, i Riu e përforcoi të njëjtën ide duke thënë:

“Ata që nuk janë duke kërkuar për lumturinë, ata kanë më shumë gjasa ta gjejnë, sepse ata që po e kërkojnë harrojnë që rruga më e sigurt për t’u lumturuar është të kërkojnë lumturi për të tjerët.”

Tani e dimë rrugën. Gëzuar DNL-në!

E mirepresim mendimin tuaj: