Dielli e Hana… Në Kohëra të Ndryshme!

kuturuPo-e-Zi, Tent-a-tivë0 Comments

Këto janë ditët kur po flitet për vëllazërinë Shqiptaro-Turke. Dhe duke medituar mbi këto marrëdhënie, dëgjova rastësisht një këngë që kam shumë vite pa e dëgjuar…

Më poshtë keni këngën (nëse mund ta dëgjoni një këngë me çifteli) ose lexoni tekstin e këngës (në dialekt e në gjuhë letrare). Konteksti i këngës ka lidhje me marrjen e djemve të zonës së Dibrës si asqerë (ushtarë) të Perandorisë Otomane. Nuk di kur është kënduar kënga – ndoshta lidhet me ngjarjet e kryengritjes së Jemenit kundër Otomanëve, rreth viteve 1908 (disa vite përpara shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë). Ose ndoshta është më e hershme.

Por i vetmi vëzhgim që kam, ka të bëjë me perceptime të kundërta popullore me dy realitete mes dy vendeve. Dikur qanim ata që shkonin ushtarë e sot po flasim për vëllazëri. Përshtypje të tjera, sido që të vijnë, na i thoni në koment!

Dielli e Hana S’po Bajnë Dritë

Rapsodët Dibranë Myfterim Kupa e Fatmir Doku

(Dialekt)

Ka po i çojnë këto djem

Çojnë asqer n’at Jemen

Ku ku nanë vatani jem

Ou, kaj moj nano kaj.

Shum tuj vujt e shum tuj heq

Dikush erdh e dikush met

Shkun të rinj e erdhën pleq

Ou, kaj moj nano kaj.

Jeta nana asht mërzit

S’po mujm nan me zan at dit

Dielli e hana s’po bajn drit

Ou, kaj moj nano kaj.

(Gjuhë Letrare) 

Ku po i çojnë këta djem,

Cojnë asqerë në atë Jemen

Ku, ku, nënë vatani im,

Qaj moj nënë qaj.

Shumë duke vuajtur e shumë duke hequr

Dikush erdh e dikush mbet

Shkuan të rinj e erdhën pleq

O, qaj moj nënë qaj.

Jeta nëna është mërzitur

Spo mundemi nënë ta arrijmë atë ditë

Dielli e hëna s’po bëjnë dritë

O, qaj moj nënë qaj.

E mirepresim mendimin tuaj: