Një dibran ndryshe dhe një polic ndryshe

kuturuTent-a-tivë0 Comments

Shënim paraprak: U tundova të shkruaj një përshkrim hyrës për Dibranët që do të lexojnë historinë e mëposhtme, por pastaj hoqa dorë. Dibranët s’kanë nevojë për sqarime paraprake për historitë… Le të hyjmë në temë.

Dola me një mik për të gjetur një mbajtëse pasqyre. Pas sorollatjeve në trafikun e Tiranës, nën përvëlimin e vapës tretëse, më në fund e gjetëm atë që po kërkonim. Të gezuar, po ktheheshim në shtëpi. Në një nga kryqëzimet më ndaloi një polic rrugor.

Zotëria më përshëndeti.

– Ju lutem më tregoni dokumentat.

– Më falni, – i thashë, – cili ishte problemi?

– Keni shkelur semaforin.

– Nëse unë mendoj që s’kam kryer shkelje, si i bëhet?

– Mund të shkosh te komisioni që mblidhet të hënën, – më tha polici rrugor, – dhe pastaj ata do ta vërtetojnë shkeljen.

– Pse do të më besojnë mua ata? Natyrshëm, – i thashë, – do t’ju besojnë ju sepse ju jeni zyrtari.

– E shikojnë në kamera. Eshtë shumë e lehtë.

Kamerat m’u duk argument shumë i mirë.

– Megjithatë, – e vazhdova argumentin unë, – jam i sigurt që semafori ishte ngjyrë e verdhë.

– E drejtë, – më tha. – Semafori ishte i verdhë. Por kodi rrugor e ndalon hyrjen në kryqëzim kur semafori është me ngjyrë të verdhë.

Zotëria më citoi nenin e kodit rrugor, nen i cili nuk më kujtohet tani, por do ta kërkoj dikur.

– Faleminderit, – i thashë, – që më në fund, një polic më arsyeton për semaforin e verdhë në vend që të ngulë këmbë që kam hyrë me të kuqe në kryqëzim.

E ndërpremë bisedën pak. U gëzova që po merreshim vesh siç duhet, por fillova të mërzitem që do të marr një gjobë, që më dukej e panevojshme. Ai vazhdoi punën e tij duke parë dokumentat.

– Z. Afrim, – më tha, – do të marrësh një gjobë minimale, më të ultën që mund t’ju jap.

– Faleminderit, – i thashë.

Unë u ktheva duke vazhduar bisedën me mikun tim, që më shoqëronte në makinë.

– A ke gjobë tjetër? – më pyeti zyrtari.

– Jo!

Pas disa sekondash, zotëria me uniformë, më dorëzoi dokumentat edhe tha:

– Afrim, nga Dibra je?

– Po, – iu përgjigja.

– Nuk po të vendos gjobë sot. Për dy arsye: E para sepse je shumë i komunikueshëm. Dhe e dyta, sepse je i pari dibran, që nuk me jep në telefon një mik, sapo e ndaloj.

– Dibranët kështu?

– Të gjithë dibranët që kam ndaluar, madje përpara se t’ju them arsyet se pse i kam ndaluar, më thonë: “Foli pak këtij mikut tim në telefon!”

Qesha. Përpos mendimit që dibranët kanë shumë shoqëri me njëri-tjetrin, dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin kur janë në hall, dhe përtej gëzimit që nuk më duhet të paguaj një gjobë, mendova që më në fund, kam takuar edhe unë një polic rrugor krejt ndryshe nga të tjerët…

 

E mirepresim mendimin tuaj: