Dancing with the Stars… nudo!

kuturuMedia, Tent-a-tivë0 Comments

Nëse ju vajti mendja për ndonjë lloj konkursi në përputhje me subjektin… më ndjeni! Nuk është qëllimi im. Larg qoftë! (Në fund të fundit, nuk do të ishte ndonjë gjë për t’u parë aq sa ç’duket në pamje të parë!!!)

Formati i show-t duket interesant. Emra të njohur që përballen me kërcimin në një formë interesante. Por pas javës së dytë të këtij edicioni, u bë e qartë për mua, që, pavarësisht emrit, fokusi i këtij viti do të ishte hapësira për të treguar “hiret” e “yjeve” më shumë sesa aftësia e tyre për të kërcyer.

Nëse do të kishte ndodhur “ashtu si krejt papritur” edhe do ta kisha justifikuar. Në fund të fundit, në ambientin tonë moral e kulturor, “lakuriqësia” po bëhet një normë e zakonshme morale. Të paktën në TV! Unë u befasova më shumë kur në mbrëmjen e fundit, realizuesit e programit e pranuan hapur që “lakuriqësia” ishte një prej elementëve të paramenduar të programit. Njëri prej tyre, tha, pak a shumë frazën: “ma merr mendja që burrat janë kënaqur me pamjen gjatë këtij edicioni”!

Disa burra mund të jenë kënaqur. Unë relativisht hoqa dorë nga ndjekja e programit, pikërisht për shkak të këtij elementi! Dhe mendoj që ka dy probleme me këtë lloj “standardi”:

E para, ky lloj qëndrimi, tregon që për organizatorët, turma e shqiptarëve që ulet përpara TV për të parë programin, është një turmë “kafshësh seksuale”, që kënaqet duke parë një “yll” (disa prej “yjeve” nuk jua di aftësitë përveç pamjes së tyre fizike, por kjo është një tjetër temë!) gati nudo, duke kërcyer. Nuk më duket qëndrim i mençur… Turma e shqiptarëve, mendoj që është lehtësisht e dallueshme në këtë pikëpamje; disa shkojnë nëpër klube nate edhe shikojnë kërcimtare (ndoshta edhe me pak rroba!) duke kërcyer, të tjerët rrinë në shtëpi me gratë e tyre (edhe shumë prej këtyre që rrinë në shtëpi, janë të kënaqur që kanë mundësi të rrinë në shtëpi, me gruan e vetme që e duan!).

E dyta, mbi konsideratën prej idioti që kanë organizatorët për shikuesit, dallohet qartë edhe një varfëri artistike e vetë atyre. E dimë që “seksi shet” por e dimë gjithashtu që “seksi shet më shumë kur ka varfëri idesh”. Dhe nga ky këndvështrim, ata që marrin përsipër të organizojnë shfaqje të tilla, më mirë të rrisin cilësinë e punës së tyre intelektuale dhe artistike, sesa të përgatisin shfaqje për një publik më të gjërë…

Ose, të fillojnë një program të ri, me titullin e sygjeruar më lart, por shfaqja pastaj e ka vendin në një nga klubet e natës në Tiranë, aty ku disa burra shkojnë vërtet “për t’u kënaqur”.

P. S. I kisha harruar këto mendime, por u kujtova përsëri, kur pashë, një nga “yjet” që pozonte gati nudo për një revistë shqiptare, revistë e cila ka guximin ta vendosë kopertinën në çdo cep rruge në Tiranë, duke treguar të njëjtën varfëri idesh, si edhe programi në fjalë… Edhe kur lexova shpjegimin e një gazete për foton, “(ylli) është kuruar deri në detaj” për fotografinë, më erdhi ndërmend ideja: kur lakuriqësia qënka kaq e bukur, pse kurohen këto yjet deri në detaj për të dalë në fotografi?

Eh!

E mirepresim mendimin tuaj: