Çfarë tha Papa e çfarë dëgjuam ne?

kuturuBesim, Viz-Kuturu0 Comments

Vizita e kreut shpirtëror të katolikëve të të gjithë botës dhe udhëheqësit të Vatikanit ishte ngjarja “botërore” e 21 Shtatorit në Tiranë. Dhe nën të dy aspektet e autoritetit të përmendura në fjalinë e parë, Papa Françesku, foli në Shqipëri, rreth një sërë temash.

Si përmbledhje, cilat ishin temat që përmendi më shpesh, sipas këndvështrimit tim?

Papa theksoi nevojën e Kishës që drejton për të theksuar punën misionare mes të rinjve dhe për t’u ngritur në nivelin e porosive të Krishtit.

Papa theksoi nevojën për të përkujtuar të kaluarën por me një theks tek e ardhmja (ndaj edhe përmendja e të rinjve).

Papa theksoi rrezikun e një harmonie fetare model, sipas Papës, por që dukshëm rrezikohet nga ata që e përdorin emrin e Zotit për dhunë. Mesa lexova edhe nga shtypi i huaj, ky është një nga thekset më të forta të dalluar nga këto media, rreth fjalimeve të Papës në Tiranë.

Harmonia fetare ishte fraza më e përmendur nga Papa dje, siç më tingëllon mua nga fjalimet e tij. Edhe po prisja gjatë ditës të kuptoj se çfarë nënkupton Papa me këtë frazë? Arsyeja e pritjes sime, ka të bëjë me faktin që shumë prej atyre që i referohen harmonisë fetare, nuk dinë të na tregojnë se si ta ruajmë harmoninë nën dritën e këndvështrimeve të ndryshme teologjike që kemi mes nesh. A është harmonia fetare që lavdërojmë një thirrje për cektësi e laicitet, më shumë sesa një thirrje e vërtetë për hamorni, edhe kur jemi krejtësisht të informuar në lidhje me bindjet kryesore të feve tona?

Dhe Papa, hodhi pak dritë mbi kuptimin e tij rreth dialogut dhe harmonisë fetare, në fjalimin e tij përpara përfaqësuesve të feve kryesore në Shqipëri,  kur tha:

“Është e rëndësishme që jeni këtu së bashku! Është shenjë e një dialogu që e jetoni çdo ditë, duke kërkuar që të ndërtoni mes jush marrëdhënie vëllazërore dhe bashkëpunimi për të mirën e të gjithë shoqërisë. Faleminderit për këtë që bëni.

Feja autentike është burim paqeje dhe jo dhune. Askush nuk mund të përdorë emrin e Zotit për të ushtruar dhunë. Të vrasësh në emër të Zotit është një sakrilegj i madh. Të diskriminosh në emër të Zotit nuk është njerëzore. Liria e besimit është një hapësirë e përbashkët, si kjo këtu, një mjedis respekti dhe bashkëpunimi që duhet të ndërtohet e pjesëmarrjen e të gjithëve, edhe të atyre që nuk kanë asnjë besim fetar.

Nuk mund të dialogohet, nëse nuk nisesh nga identiteti yt. Pa identitet nuk mund të ketë dialog. Do të ishte një dialog fantazmë, në ajër: Kjo nuk shërben. Secili prej nesh ka identitetin e vet fetar dhe i është besnik atij. Por Zoti di si ta çojë përpara historinë. Le të nisim secili nga identiteti i vet pa u shtirur sikur kemi një tjetër, sepse nuk shërben, nuk ndihmon. Duke bërë ne mund të ecim së bashku si vëllezër, por ajo që është më e rëndësishme dhe më e bukur është që të ecim së bashku pa tradhtuar identitetin tonë, pa e maskuar, pa hipokrizi”.

Do duhet një shtjellim më i gjatë, por më duket se Papa e shikon dialogun në këtë formë:

Secili prej nesh, duhet të mësojë rreth besimit të vet, dhe të jetë në gjendje ta praktikojë pa hipokrizi.

Pastaj, me këtë bagazh, duhet të jemi në gjendje të flasim me njëri-tjetrin, në një ambient paqësor e ku askush nuk ndihet i rrezikuar nga bindjet e veta.

Dhe në fund të dialogut, të përpiqemi të argumentojmë sa të duam, por t’ia lëmë në dorë Zotit të drejtojë zemrat e njerëzve. Siç e theksoi Papa, “Por Zoti di si ta çojë përpara historinë.”

Ky është procesi i duhur për dialog dhe harmoni fetare, siç e kuptova unë Papën.

Se çfarë kemi dëgjuar dje, akoma nuk e di… duhet të presim! Ndoshta duhet të presim konferencën e parë pasardhëse për harmoninë fetare në Shqipëri; nëse do të flitet ashtu si duhet për harmoninë apo do të shpallet injoranca e zakonshme e kësilloj konferencash?

Nga të gjitha detajet e organizimit të mirë të pritjes së Papës, mua më ra në sy moria e shisheve që hidhej në rrugë, te këmbët e të tjerëve, e pak metra larg koshave të plehrave. A thua, sepse s’dimë ç’të bëjmë me plehrat, ngaqë Papa s’i përmendi fare dje?

E mirepresim mendimin tuaj: