Buda në Bllok

kuturuViz-Kuturu0 Comments

Po, Buda është ulur këmbëkryq në të ashtuquajturin “Bllok”, vendin ku vetëm disa vite më parë, s’kishte vend për ideologji aziatike. S’kishte vend për ideologji edhe me familjare se ato aziatike.

Pse pikërisht Buda? Dhe jo, Jezu Krishti për shembull? Ose ndonjë figurë tjetër, filozofiko-fetare?

Sipas mendimit tim, arsyeja kryesore lidhet me një prirje te dukshme snobizmi, një dëshirë për tu dukur (me një dozë fallciteti, natyrisht!) si “të jashtëm”, si “modern”, me një ndjesi të lartë “tolerance” ndaj ideologjive të caktuara. Jo më kot, Blloku konsiderohet edhe sot si lagjia moderne, “e përparuar” e Shqipërisë. Shpesh thuhet që “Blloku nuk është Shqipëria” dhe e anasjellta.

Ndaj, natyrshëm, Buda (simbolikisht, Buda) ka gjetur vend në Bllok e jo rrëzë Baba Tomorit!

Nga ky këndvështrim, idetë e Budës nuk janë ndërgjegjshmërisht ndikuese… por në mënyrë jo të drejtpërdrejtë duket se janë të mirëpritura në ambientin e Bllokut, si fillim, e pastaj përtej Bllokut.

Si shembull, Budizmi e refuzon idenë e një bote të krijuar dhe të sunduar nga Zoti.

Në ndjekje të shembullit të të vetmit mjeshtër të njohur nga Budistët (dmth të vetë Budës), qëllimi i jetës për ndjekësit e Budës është:

“zhvillimi i një qëndrimi të mëshirshëm për të gjitha qëniet njerëzore pa diskriminim dhe puna për të mirën, kënaqësinë dhe paqen [shën. im: e të gjitha qënieve njerëzore]; dhe zhvillimi i urtësisë që na çon drejt arritjes së të Vërtetës Përfundimtare”

Ideja e një Zoti që ka krijuar botën dhe e sundon botën duket se shkon në kundërshtim me qëllimet e budizmit. Si rrjedhojë, budizmi perceptohet si një rrymë paqësore dhe tolerance, me qëllim sjelljen e së mirës, ndërsa Zoti, rrjedhimisht nuk duket se është tolerant dhe nuk kujdeset për të mirën tonë!

Ndaj, të rinjtë e Tiranës (simbolikisht, kuptohet!) e pranojnë Budën këmbëkryq mu në mes të Bllokut, ndërsa për një figurë si Jezu Krishti, do të duhej shumë “mungesë tolerance” për ta pranuar në të njëjtën mënyrë…

Edhe nga kjo pak analizë, kuptohet qartë që prirja jonë e natyrshme është për të refuzuar dikë që na thotë se çfarë të bëjmë…

Dhe kjo do të ishte përsosur, sikur realisht ta dinim se çfarë është e mira… Sikur ta dinim se çfarë sjell paqen… Sikur ta dinim se çfarë është e vërteta… Sikur të mos kishim nevojë që dikush tjetër, më i madh se ne, më i zgjuar se ne, më i gjithdijshëm se ne, të na tregonte rrugën.

Sikur ne të ishim në gjendje që të ndriçoheshim vetë, thjesht duke ndjekur mësime të mira e duke mbajtur shpirtin tonë në qetësi, ulur këmbëkryq e me sy mbyllur, atëherë Buda do të kishte kuptim. Por ne s’jemi në gjendje të ndriçohemi pa një figurë më të lartë se ne e madje krejt përtej nesh.

Dhe ky person, zakonisht, rri ulur e me sy mbyllur… pavarësisht se shumë vetave ju duket kështu!

Të kthehemi te Buda në Bllok: Më bën përshtypje që ai vendi ku duhet të kishte mirësi e qetësi, mbart kaq shumë zhurma gjatë gjithë natës. Ndoshta zhurma duhet për të mbytur zërin e ndërgjegjes, që, as Buda nuk na e qetëson dot…

E mirepresim mendimin tuaj: