Biznesi dhe Qeveria

kuturuViz-Kuturu0 Comments

Prej fillimit te vjeshtës ne vendin tonë diskutimi për taksat është prezent kudo, nga bisedat e thjeshta, tek analizat ekonomike, në Parlament si dhe ne mardhëniet ndërkombëtare.
Në këndveshtrimin tim si qytetar i pa angazhuar politikisht dhe që kam zgjedhur me vetëdije te plotë të jetoj nëpërmjet aktivitetit privat, apo siç thuhet ndryshe biznesit, po rendis më poshtë disa mendime dhe ide që mund të jenë ndihmë per disa, që ashtu si unë, duan te kuptojnë më shumë dhe më mirë çfarë po ndodh në të vertetë.
Së pari, aksioni në tatime që kur nisi nuk u mbështet ne filozofinë e duhur.

Baza krahasuese ishte: “….të bëjmë një aksion po aq të suksesshëm sa ai i mbledhjes se pagesave të energjisë”. Në pamje të parë duket sikur ngjashmëria është e plotë, por nëse qëndron një moment dhe mendon pak më thellë e kupton qe ky argument kompromenton qëndrimin që Qeveria ka për biznesin: Nëse nje konsumator nuk paguan energjinë apo çdo shërbim tjetër që e konsumon automatikisht nuk është klient dhe si rrjedhim ai humbet privilegjet nga shërbimet që merte përveç nëse ka status të veçantë siç mund të jetë rasti i familjeve qe kanë të ardhura poshtë minimumit jetik (që Qeveritë nuk e zënë në gojë). Ai që meret me biznes nuk është konsumator, në shumë raste ai ka dalë në treg për të sjellë një vlerë ose për të administruar diçka me vlerë. Të gjithë e dimë që për shumë arsye, ku një prej tyre është edhe natyra njerzore, shumë gjera nuk janë bërë mirë dhe sigurisht duhen që të regullohen një ditë. Ndoshta kjo ditë është sot por së pari duhet të biem dakord qe sipërmarësit nuk i kanë Qeverisë dhe realitetit borxh gjithçka kan por vetëm një pjesë. Kjo pjesë duhet paguar por në as edhe një menyrë nuk duhet të shkojmë në pikën që nëse nuk paguan mbyll aktivitetin pasi në ketë rast edhe Qeveria nuk mer pjesën e vet por edhe krijohet një risk më shumë për biznesin.
Së dyti paçka problematikave me të cilat përballet biznesi shqiptar dhe imazhit jo shumë pozitiv, në parim është biznesi ai që së pari po i ofron një shërbim Qeverisë.

Që kjo të funksionojë afatgjatë edhe Qeveria duhet të nxitojë të ofrojë shërbime biznesit. Sa më cilesore të jenë keto shërbime ndaj njëri-tjetrit aq më serioze dhe e konsoliduar bëhet mardhenie dhe sigurisht në këtë rast pergjegjshmëria bëhet çështje dite dhe jo aksion politik. Në gjithë këto vite pluralizëm të gjithë kanë bërë diçka ndryshe, përveç Qeverive. Aktualisht as edhe një nga Qeveritë nuk ka mundur qe me planin e vet te veprimit, vizionin dhe strategjitë të përmirësojë statusin social emigrantëve, lehtësojë punën fermerëve, tiu bëjë jetën më entuziaste të rinjve dhe aq më pak tiu shtojë punën bizneseve. Pra, nëse deri më tani të gjithë kanë treguar veten çfarë dinë të bejnë ajo qe ngelet të tregojë çfarë di të bëjë është Qeveria. Shprehja; “Mos e hidh Beben bashkë me ujin e qelbur” mund të qartësojë çfarë dua të them dhe çfarë sugjeroj në lidhje me Qeverinë.
Së treti dhe më e rëndësishmja për mua është këndvështrimi shpirtëror i kësaj çështje.

Qeveria nuk është e detyruar të marrë në konsideratë dimensionin shpirtëror ne vendimarjet e veta por sigurisht nuk mund ta neglizhojë pa fund. Që evazorët nuk duhet të lejohen të bëjnë biznes kjo nuk duhet zgjatur më shume se ky resht sepse është pak a shumë e njëjta llogjikë me faktin qe një i korruptuar nuk duhet lejuar të drejtojë nje institucion shtetwror. Fatkeqësisht shumica e bizneseve kanë mangësi që janë atje per shumë arsye, kapacitetet menaxheriale, dëshira për fitim të shpejtë, konkurencë e pandershme, etj. Por kjo nuk i jep të drejtë Qeverisë të përdorë metodat dhe fjalorin që meriton një person që bën evazion fiskal përpara të gjithë njerëzve që duan të besojnë që mund të bëjnë biznes si mënyrë për të jetuar. Kërcënimi me gjoba falimentuese dhe me burg si formë e parë komunikimi thjesht komunikon në mënyrë arrogante qe nëse dikush nuk është i aftë të paguajë pjesën që i takon Qeverisë, në formën e taksave, nuk vlen për as edhe një gjë. Nëse një biznes shkon keq patjetër dikush duhet të mbajë pergjegjësi por burgu është një hap para vdekjes, me ndyshimin se burgu të izolon faktikisht dhe vdekja të izolon realisht. Qartaz, Qeveria nuk ka plan rehabilitimi për këta njerëz kur të dalin nga burgu por nuk duhet të harrojë që shumë prej kwtyre burrave dhe grave që merren me biznes janë edhe kryfamiljarë, janë njerëz që kanë jetë edhe përtej të punuarit dhe të paguarit taksat e Qeverisë. Çdo njeri nuk është diçka që domosdoshmërisht duhet të performojë por është DIKUSH që edhe nëse gabon duhet integruar dhe garantuar mundësitë dhe liritë për të gjetur veten në një drejtim tjetër.

Postim nga Dritan Vreshta (biznesmen)

E mirepresim mendimin tuaj: