Më jepni një Show Tjetër…

kuturuPo-e-Zi0 Comments

Ndërsa shkruaj, Big Brother Albania 6 duhet të jetë duke shpallur emrin fitues. Emrin do ta marr vesh më vonë. E madje, edhe sikur të mos dua ta njoh fare, me siguri do të na shfaqet rregullisht në ekrane TV e në gazeta për gjashtë muajt e ardhshëm, derisa të vijë koha për edicionin tjetër.

Këtë edicion, kam parë gjithsej 10 minuta nga BB. Edhe këto minuta, i kam parë copa copa, kur ndërroja kanalin të shtunën në darkë e harroja që kishte BB.

Arsyeja e refuzimit këtë rradhë (jo sepse herë tjetër e kam parë me aq vëmendje, por sivjet kam thyer rekordin tim personal!) nuk ka të bëjë me standardin tim të lartë intelektual e në të kundërt, standardin e ulët intelektual të programit (sipas mendimit tim). As ka të bëjë me ndonjë qëndrim të caktuar kundër këtij programi. E as me cilësinë e përzgjedhjes së kandidatëve, që me thënë të drejtën, për aq sa di, më japin përshtypjen që nuk janë krejt të ngjashëm me shqiptarët e zakonshëm, por më keq…

Arsyeja kryesore e refuzimit të këtij programi ka të bëjë me këndvështrimin e pavlerë që ofron ky program për natyrën njerëzore. Unë e di që njerëzit janë intrigantë, që fshehin të vërtetën e mbajnë sekrete, që pëlqejnë të luajnë në kurriz të të tjerëve, që do ta shfrytëzonin deri në maksimum mundësinë për të përfituar para, deri aty, sa edhe imoraliteti të duket si një vlerë e lartë televizive (kush fjeti e me kë?).

Ky program (e shumë të tjerë) nuk ofrojnë asnjë gjë të re për natyrën njerëzore. Asnjë gjë për të cilën kam kuriozitet sepse nuk e di. Gjithçka është thënë më përpara. Përshkrimi i mëposhtëm biblik i thotë të gjitha ashtu si janë:

“Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë, dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes; nuk ka druajtje e Perëndisë para syve të tyre.”

Më jepni një show tjetër, një show që më tregon se si ndryshohet zemra njerëzore, si ndryshohet në themel e jo në sipërfaqe të përkohshme… ma gjeni këtë show, dhe shumë do ta ndjekin, jo vetëm sepse të tregon diçka me vlerë për të tjerët, por edhe sepse më jep diçka me vlerë për ta përdorur për jetën time… Përndryshe, shihemi në programe të tjera!

E mirepresim mendimin tuaj: