Bëni për të tjerët atë që…

kuturuViz-Kuturu0 Comments

Kam disa ditë që peshoj në mendjen time ngjarjet e Parisit… M’u deshën tre ditë ta gjej atë që po kërkoj!

Më erdhi krejt natyrshëm që në fillim të them #jesuicharlie (unë jam Charlie!), për t’u solidarizuar me karikaturistët e vrarë. Por isha më shumë PRO tyre, për shkak të vdekjes së padrejtë, sesa isha PRO tyre kur ishin gjallë. Nuk është që s’isha PRO tyre kur ishin gjallë për shkak të zhurmës rreth karikaturave të tyre kundër profetëve të një feje a të Zotit të një feje tjetër (shpeshherë), por thjesht nuk isha shumë PRO tyre sepse nuk më pëlqen cinizmi dhe ironia me tjetrin, në kufinjtë e ofendimit. Më pëlqen ironia, sarkazma, humori, karikatura… por, siç ma thonë edhe miqtë e mi më të mirë, ka kufinj të shëndetshëm në këtë fusha që duhen respektuar.

Kuptohet, që jam krejt KUNDER, atyre që verbërisht mendojnë (jam shumë i bindur për verbërinë e tyre!) se Zoti shpagohet duke vrarë! Krejtësisht gabim janë! Madje, mendoj që ata, tashmë pas vdekjes (sepse sapo u raportua nga mediat që janë vrarë!) e kanë kuptuar thellë gabimin e tyre teologjik; por nuk ka nevojë për teologji për të kuptuar një devijim krejtësisht psiqik të tipave të atij lloji! As që bëhet fjalë të kem ndonjë lloj simpatie për atë soj!

Por në fund, kur të vdekurit e fajshëm e të pafajshëm kanë ikur, çfarë ka shtegu ka ngelur për ne të gjallët, ku të gjejmë pak shpresë?

Europa (ku bën pjesë edhe Franca, madje si pjesë e modelit klasik të saj) po tërhiqet “zvarrë” mes cakut të ekstremizmit fondamentalist nga njëra anë, e modelit “përqeshës” (në thelb ateist, ose pa asnjë lloj Zoti) pa bindjeje nga ana tjetër. Të dyja këto modele sjellin trishtim dhe varfëri në shpresë! Të dyja këto modele, që po përgatiten të përplasen më fort sesa në javën e fundit, në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, krijojnë shoqëri pa shtyllë kurrizore, varfëri idesh, dhe një skamje morale të tmerrshme, që nuk mbushet as me luksin e tepruar të pasanikëve, e as me shkëlqimin e rremë mediatik!

Të dyja kahet, bashkë me ata që janë në mes, bëjnë mirë ti kthehen njërit prej parimeve që ka themeluar mirëqënien moderne Europiane. Ky parim thjesht thotë: “Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre…” Nuk mjafton vetëm kjo thënie e Jezusit për të rehatuar shpirtrat e ekstremistëve dhe të atyre që enden në mes pa ditur nga cila anë të mbajnë, por është fillim i mirë…

Përndryshe, beteja në Europë do të vlojë më shumë drejt se keqes…

E mirepresim mendimin tuaj: