Pyetje nga Rruga #1: Bashkëjetesa apo Martesa?

kuturuPyetje nga Rruga0 Comments

Rrugës kur ecen në këmbë, dëgjon biseda njerëzish. Shpesh, në këto biseda, dëgjon pyetje, që bashkëbiseduesit ia drejtojnë njëri-tjetrit. Këto pyetje, të bëra në rehatinë e një marrëdhënie të sigurtë miqësie, janë sebep i këndshëm bisede. Edhe, në pamundësi për t’ju përgjigjur drejtpërdrejt udhëtarëve, po marrim mundimin t’ju përgjigjemi pyetjeve në faqen tonë kuturu.org.

Do të ishte e sikletshme të ndalosh njerëzit edhe të thuash: “Më falni, unë e di përgjigjen e pyetjes suaj! A më lejoni t’ju përgjigjem” Në fund të fundit, pse të mos ju përgjigjemi “kuturu” këtu në faqen tonë?

Pyetja ishte kjo: “Po pse, bashkëjetesa qënka përkushtim më i madh se martesa?” Ma merr mendja, që bashkëbiseduesi tjetër po argumentonte që dikush, ka vendosur të bashkëjetojë me dikë në vend të martesës, duke argumentuar që ky është një goxha përkushtim.

Përgjigja jonë nuk është një traktat i plotë i debatit mes bashkëjetesës dhe martesës. As nuk po argumentojmë në linjën e famshme të diskutimit mbarëbotëror rreth martesës së homoseksualëve, këndvështrimeve të ndryshme të moralitetit në botën tonë e të tjera si këto.

Po merremi me një argument të thjeshtë: cili prej këtyre modeleve tregon përkushtim më të madh? Në thelb, dy njerëz që bashkëjetojnë dhe dy njerëz që martohen kanë vendosur të lënë shtëpitë e tyre për të jetuar në të njëjtin vend. Të dy kanë lirinë të largohen kur të duan – pavarësisht se mund të ketë kosto për largimin.

Ndryshimi i vetëm është pikënisja e përfshirjes në marrëdhënië. Në bashkëjetesë, ndërsa vendos të përkushtohesh, e lë hapur një pjesë të gardhit të marrëdhënies për t’u larguar (kuptohet, në emër të lirisë dhe përshtatjes me tjetrin) prej saj. Në martesë, gardhi është më i mbyllur. Rrjedhimisht përkushtimi i domosdoshëm për tu future në martesë është i një shkalle më të lartë. Këtu, me siguri, disa po e lexojnë këtë termin “gardh” si një kufizim të tmerrshëm. Nëse bëhet fjalë për kufizim, të dyja kërkojnë kufizim të vetvetes dhe dhënie të një pjese tëndes tjetrit.

U bë bisedë e gjatë. Kush kërkon përkushtim më të madh, bashkëjetesa apo martesa? Kuptohet, niveli më i lartë i marrëdhenies kërkon përkushtim më të madh. Edhe nëse mendon se martesa nuk është “e preferuara” e kohës, prapë se prapë, përkushtimi i dikujt që thotë “jam gati të martohem me ty” është dukshëm një deklaratë më serioze.

Mirëupafshim në pyetje të tjera nga rruga!

E mirepresim mendimin tuaj: