Dua të bëhem analist…

kuturuViz-Kuturu0 Comments

Zgjedhjet kanë mbaruar.

Mua më është bërë koka daulle duke parë lajme e numra…

(Meqë ra fjala, rroftë im bir, që i kam bërë kokën, që nga dashuria për futbollin, na ka “detyruar” të shikojmë ca ndeshje futbolli pa asnjë ndërprerje politike!)

Por pasi analizova lodhjen time mendore duke parë lajme e analiza, e gjeta, një “dashuri” që më shtohet kur shikoj lajmet, sidomos gjatës kohës zgjedhore!

Dua të bëhem analist!

Tani, që të kuptohemi, unë në mënyrë modeste, jam analist, se këto që shkruaj këtu janë analiza (modeste, kuptohet, se mos më akuzoni për nivel të ulët pastaj!) Kështu që unë e bëj analizën, por dua më shumë…

Ej, dua të bëhem analist!

Tani, që të kuptohemi prapë, unë edhe shkruaj herë pas here statuse në Facebook, që i konsideroj analiza. Madje, janë analiza që më japin vlerësim e vetvlerësim, sepse marr edhe ndonjë LIKE, marr edhe ndonjë koment, marr edhe ndonjë kritikë… Kështu që unë e bëj analizën, por dua më shumë…

Po, or po, dua të bëhem analist!

Tani, që të kuptohemi prapë për herë të tretë, unë edhe ju komentoj të tjerëve në statuset e tyre, sidomos në Facebook! Kështu, që në njëfarë mënyre kontribuoj në bërjen e analizës, se ata shkruajnë, unë shkruaj, një tjetër ndërhyn, e kështu bëhet një çarçaf analize… Kështu që unë e bëj analizën, por dua më shumë…

Unë, ore miq, që t’jua them troç, dua të jetoj duke folur pa asnjë lidhje me realitetin, edhe ta pij kafen paradite te Rogneri, e pasdite ta pij ujin te nja dy tre studio televizive, e të mos mbaj asnjë përgjegjësi për atë që them! Pikë e kaq! Atëherë do të më bjerë shpirti në paqe, e do ta quaj veten analist.

Kështu, kështu analisti, dua të bëhem.

E mirepresim mendimin tuaj: