Adi Krasta dhe rrjetet “A-sociale”

kuturuTent-a-tivë0 Comments

ASHOW, me siguri do të zërë vend në kulturën televizive shqiptare, si çdo përpjekje e deritanishme e prezantuesit të njohur. E megjithatë, cilësinë e shfaqjes e vlerësojnë specialistët e më vonë edhe teleshikuesit. Unë mezi e kam pritur këtë shfaqje.

Meqë ishte prezantuar si një rast ku Adi Krasta do të fliste për veten, po prisja të dëgjoj këndvështrimin e Krastës për jetën shqiptare. Ndoshta emri i Krastës në titullin e shfaqjes më nxiti këtë pritje. Ndoshta komentet e disa të pranishmëve në sallë. Dhe nuk u zhgënjeva. Adi Krasta foli për jetën politike në vend, për nacionalizmin, për kolegët e tij, për rolin e medias në Shqipëri, për “të qënit shqiptar”, dhe për rrjetet sociale.

Çdo gjë që tha tingëlloi “provokuese”, të drejtpërdrejtë, sfiduese për mendimin kulturor shqiptar e përtej. Në këtë frymë, unë po them fjalën time prej një prej këtyre “provokimeve”.

Çfarë tha Krasta rreth rrjeteve sociale?

Tha që janë a-sociale. E kundërta e asaj që reklamojnë. “Kemi ngritur një institucion përbaltje”, tha Krasta, me siguri me këtë të fundit duke ju referuar opinionit më të gjërë sesa thjesht rrjeteve sociale.

Unë po i përgjigjem Krastës “asocialisht” jo sepse dua por sepse s’kam mundësi tjetër. Më e mira do të ishte që Krasta të më kishte ftuar për një kafe edhe të flisnim “socialisht”. Deri sa të marr ftesën po them mendimin tim publikisht, duke mbajtur në mend që edhe Krasta foli publikisht.

Një parantezë: Mund të të krijohet përshtypja që po polemizoj me Krastën. Jo patjetër! Kini durim!

Rrjetet sociale kanë krijuar mundësinë për të mbajtur afër miqësi që në rrethana të tjera nuk do ishin të mundura. Lehtësia për të komunikuar, për të komentuar, për të thënë mendimin në lidhje me fotografi, ngjarje, e personazhe, krijon premisat për ta ruajtur “njerëzillëkun” në rrethana kur lëvizja e popullsisë është e lartë. Ma merr mendja që kjo e meriton një LIKE!

Rrjetet sociale janë produkt i nevojës sonë për të krijuar komunitet. Komunikimi në komunitet është sfidues. Gjithmonë sfidues. Mundësia për të krijuar kontekste ku ky komunikim lehtësohet është vlerësues. I nevojshëm. Globalisht! Kjo e meriton një +1!

Rrjetet sociale lehtësojnë reagimin e njerëzve përballë presionit publik TV e informative gjithnjë e në rritje. Dhe jo vetëm në rritje por edhe në rritje një-kahësh. Çdo natë, kur e ndez TV për tu informuar, dëgjoj lumin e një-zëshëm të mendim-bërësve (të ashtuquajtuarve!) që thjesht flasin. Po unë kur do t’ju përgjigjem të njëjtët njerëzve që qarkullojnë sa në një pagesë studioje në një tjetër për të thënë të njëjtat lajme të këqija të mërzitshme rreth realitetit shqiptar? Kur flasin shumë, atëherë “Një-kahëshi” opinionist ndoshta dëgjon. Rrjetet sociale më kanë dhënë një hapësirë lirie për të folur. Një LIKE tjetër!

Këtu do të filloj të anoj nga Krasta por ndryshe nga ai! Rrjetet sociale janë po aq a-sociale sa çështë realiteti shqiptar. Institucioni i përbaltjes ka qënë aty, në krye të vendit, që kur kam lindur unë edhe sot thjesht ka gjurmuar një hapësirë lirie për ta shtrembëruar siç do të shtrembëronte çdo hapësirë potenciale. Unë do ti kisha sygjeruar Krastës ta përdorte “hapësirën sociale” në këmbim të nevojës që ai të flasë ashtu si do… derisa dikush të dëgjojë! Nuk duhet të jemi dakord me të, por mund ta dëgjojmë. Edhe ai dëgjon të tjerët…

Kuptohet që linkun e këtij artikulli e gjeni në Facebook… në pamundësi për t’ia dërguar mendimin tim modest vetë Krastës!

E mirepresim mendimin tuaj: