6 Dëshirat e mia për vitin 2015.

kuturuViz-Kuturu0 Comments

Zakonisht, dëshirat shprehen përpara se të vijë viti, sepse kur vjen viti, fillon “shkërmoqja” e dëshirave… Megjithatë, jemi në ditën e dytë të vitit, kështu që le të nxitojmë sa ka kohë!

1. “Le të puthen demokratë e socialistë!” Kjo ishte dëshira e Gilit rreth 10 a më shumë vite më përpara. Unë them, nëse puthen, të paktën të ruajnë ndarjet gjinore edhe këtë vit! Dëshira ime është që të dyja palët të mos dalin shpesh në TV… Ose do më detyrojnë të mbaj televizorin fikur!

2. Unë dua që Kadareja të fitojë çmimin Nobel për letërsinë, me kusht që ai ta pranojë që edhe ai është i gabueshëm si gjithë të tjerët, që ka shqiptarë që ndoshta nuk e pëlqejnë e s’do ta pëlqejnë kurrë, e që të pranosh gabimet ti shton mundësitë që Europa të të vlerësojë!

3. Shqiptarët në Europë të mbahen mend vetëm për pjesën muzikore nga Shkëlzen Doli në Koncertin e Vienës, ndryshe nga shumë “gjeste” të tjera që përhapen më shpejt në veshët e Europës sesa muzika klasike.

4. Po sikur, të mos kishte më shumë se 5 të vdekur nga vrasjet a aksidentet në Shqipëri këtë vit? Do të doja të ishte 0, por duhet ta kisha shkruar këtë dëshirë përpara datës 2 Janar!

5. Kombëtarja shqiptare të fitonte të drejtë për të shkuar në Europianin e Francës, duke fituar të gjitha ndeshjet që kanë ngelur… dhe më shumë se kaq, të mos shahet asnjë futbollist serb kur të vijnë të luajnë në Shqipëri! Kështu të bëhet lajm “mungesa e provokacijes” në gjithë botën.

6. Dëshira e fundit por jo nga rëndësia – çdo këngëtar shqiptar, që do të publikojë një këngë këtë vit, të vërë re, nëse teksti që ka zgjedhur ka ndonjë lloj kuptimi… e nëse zbulon që s’ka kuptim, ose të gjejë një mendimtar të shtojë mendim, ose të heqë dorë fare nga kënga!

Vetëm 6 dëshira! Vetëm 6!

E mirepresim mendimin tuaj: