2014-ta sipas kuturusë

kuturuPo-e-Zi0 Comments

“Jam e gëzuar që iku 2014-ta, sepse u lodhëm duke shkruar numrin 2014, sa herë që kemi detyra”, tha vajza ime 8 – vjeçare. A jeni lodhur nga viti 2014?

Unë pjesërisht jam lodhur. Pjesërisht jam gëzuar. Ja arsyet:

1. Një dhimbje kurrizi më ka rënduar gjithë vitin. Nuk ishte aq keq sa për të shkuar te mjeku – aq më tepër që s’jam në të 40-tat që të vizitohem falas, por nuk ishte as e lehtë sa të mos e ndieja fare. Por ditët e fundit ka ikur! Shpresoj të mos kthehet më! A keni ju ndonjë “dhimbje” që e mbani shpesh me vete?

2. A nuk ju duket se reklamat me përmbajtje “lakuriqësie” janë shtuar në rrugët e Tiranës këtë vit? Duket se këto lloj imazhesh janë bërë “norma e re e pranueshme”. Ndërsa po pinim një gotë birrë te Pedonalja e Tiranës, bashkë me dy miq, bashkë me fëmijët, vumë re dy vajza që po shpërndanin fletëpalosje kalimtarëve. U bëmë kuriozë. “Merreni, tha vajza, por mos iua tregoni fëmijëve”. Më bëri përshtpypje që “shpërndarësja” mendon që fletëpalosja për striptizmin ju bën dëm kalamajve, e nuk ka asnjë problem për ne të rriturit. Duket se askush nuk e vë re lidhjen e sigurt mes imoralitetit të pranueshëm në publik, e krimit, padrejtësisë, dhunimit, e varfërisë. Derisa lidhje të jetë e dukshme për shumë, më keq do të bëhet! Kam merak!

3. Kam hequr dorë në një masë të madhe nga ndjekja e programeve me opinionistë TV. Disa prej tyre janë shumë të parashikueshëm – unë e di se çfarë do të thonë, pa hapur gojën! Disa të tjerë, edhe nëse thonë ndonjë gjë të re, prapë, s’kanë vlerë në atë që thonë. Dhe kam rënë rehat. Ndjehem sikur kam liri të shikon Zotin duke vepruar në realitetin tonë, më shumë sesa makinacionet politike të zakonshme… Dhe pamja duket më me shpresë!

4. Facebook-u më ka treguar sivjet vetëm ditëlindjet e miqve të mi, dhe të njëjtat pëlqime! Duket se ka ardhur koha për një rrjet social të ri; siç ishte Facebook-u në fillim!

5. Erdhi Papa në Shqipëri. Dhe u gëzova. Sepse rrugët ishin bosh. Martirët e kishës u bënë të dukshëm. Dhe u gëzova që një poster i shëmtuar, i padenjë për t’u shfaqur në ato përmasa në mes të Tiranës, u hoq. Ma merr mendja, që nëse Papa ka kohë të na vizitojë më shpesh, ambienti ynë do të përmirësohej.

6. Kam shkruar 3 kapituj nga libri im. Por, si në atë skeçin e famshëm të Belulit, nuk shkruajta më asnjë gërmë, kur dëgjova që Fevziu shiti 10 mijë kopje të librit vetëm në një ditë. Pse të shkruaj, kur, ata që do blenin një libër, tashmë i kanë harxhuar paratë me Fevziun? Libri im ndoshta do të shkruhet vitin tjetër!

7. Dhe për ta mbyllur; ka qënë një vit i mirë; familjarët e mi janë mirë, fëmijët po rriten, gruaja më do e më vlerëson akoma, kemi pasur për të ngrënë, po shlyejmë borxhet, s’kemi asnjë nga rrethi shoqëror që vdes të hedhë shashka te këmbët tona, dhe mesa di, asnjë nga të afërmit e mi nuk ka vjedhur energjinë elektrike! Ah, dëgjova që disa s’kanë paguar, por kanë rënë dakord ti paguajnë. Dhe kjo është mirë! Mbyllje e mirë e vitit!

8 Bonus vetëm për sportdashësit dibranë: Mësova që këtë vit, klubi i futbollit Korabi egziston. Dhe madje nuk ka asnjë humbje gjatë gjithë sezonit. U gëzova më shumë, kur lexova që presidenti i klubit, iu bënte thirrje tifozëve që në Dibër të mirëprisnin çdo kundërshtar. Në rrethanat kur akoma s’është e lehtë të shkosh me fëmijët në stadium, m’u duk me vend për t’u gëzuar nga thirrja e tij.

A nuk ia vlen ta presësh vitin tjetër me shpresë?

E mirepresim mendimin tuaj: